Instituti Kosovar për Drejtësi (IKD) ka vijuar mbledhjen e nënshkrimeve për një peticion që synon ndryshimin e Kodit Penal të Kosovës. Kjo nismë ka dy qëllime kryesore: së pari, kriminalizimin e përdorimit të parasë publike gjatë periudhës zgjedhore dhe para-zgjedhore; dhe së dyti, forcimin e zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Nisma është mbështetur edhe nga ish-kryeministri dhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ndërsa IKD u ka bërë thirrje qytetarëve t’i bashkohen peticionit.
Përfaqësuesi i IKD-së, Jakaj, theksoi se peticioni po ecën me sukses dhe ka marrë mbështetje të gjerë. Ai përmendi dhjetëra organizata të shoqërisë civile, oda ekonomike, personalitete dhe aktorë kryesorë në Kosovë, përfshirë edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës, si mbështetës. “Peticioni po ecën mirë, është mbështetur nga dhjetëra organizata të shoqërisë civile, nga odat ekonomike, nga personalitete dhe aktorë kryesorë në Republikën e Kosovës, ndër të cilët edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës. Sot nismën e ka përkrahur, sapo e ka përkrahur edhe ish-kryeministri, zotëri Hoti, deputet i legjislaturës së njëmbëdhjetë, të cilin e falënderojmë për këtë mbështetje”, deklaroi Jakaj.
Jakaj informoi se mbledhja e nënshkrimeve do të vazhdojë sot deri në orën 15:00, si dhe gjatë dy ditëve në vijim, jo vetëm në Prishtinë, por edhe në qytete të tjera. Ai ftoi qytetarët të bëhen pjesë e kësaj nisme.
Ndërkaq, Avdullah Hoti përgëzoi IKD-në për këtë iniciativë, duke vlerësuar se ndryshimi legjislativ mund të jetë i domosdoshëm, duke pasur parasysh zhvillimet e dy viteve të fundit. Ai shprehu shqetësimin se sjelljet e partive politike kanë devijuar nga standardet e vendosura që nga viti 2008, kur aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese zbatoheshin pa përjashtim dhe madje as nuk komentoheshin.
Hoti nënvizoi se në dy vitet e fundit, dhe sidomos ditët e fundit, është dalë jashtë këtij standardi. “Është e domosdoshme që ligjërisht të mbahen përgjegjës personat që nuk i zbatojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese,” deklaroi Hoti.
