Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara nuk do të “tërhiqen në mes të një lufte”, ndërsa theksoi se administrata e tij është në “negociata intensive” me Iranin për të arritur një armëpushim. Këto komente ai i bëri gjatë një interviste për televizionin izraelit “Channel 12”.
Trump shtoi se emisarët e tij kryesorë për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, po mbajnë kontakte të vazhdueshme me Iranin.
Burime pranë bisedimeve i thanë televizionit se ekzistojnë dy kanale komunikimi: njëri nëpërmjet ndërmjetësimit të Pakistanit, Egjiptit dhe Turqisë, dhe tjetri nëpërmjet shkëmbimit të mesazheve direkte me tekst midis Witkoff, Kushner dhe Ministrit të Jashtëm iranian Abbas Araghchi.
Ministrat e jashtëm të vendeve ndërmjetësuese po përpiqen të bindin palët të bien dakord për një sërë masash që do t’i mundësonin Trumpit të shtyjë afatin e tij.
Sipas këtyre burimeve, ministrat zhvilluan dje biseda telefonike me Kushner dhe Witkoff, por ato nuk dhanë rezultatet e dëshiruara.
Trump i tha “Channel 12” se beson se ka “një shans të mirë” që të arrihet një marrëveshje para afatit të së martës. Megjithatë, ai paralajmëroi: “Nëse nuk arrijnë një marrëveshje, unë do ta shkatërroj gjithçka atje.”
I pyetur nëse ishte i shqetësuar për rrezikun ndaj civilëve në Iran, të cilët ai dëshiron t’i inkurajojë të përmbysin regjimin, Trump u përgjigj se ata “jetojnë me frikë”, sipas raportimeve të Panorama.
“Ata kanë frikë se do të largohemi në mes të luftës, por nuk do të largohemi”, tha ai.
