Aksion Rrënimi Pranë Liqenit të Radoniqit: Ministrja Pacolli Njofton Çlirimin e Pronave Publike

Ministrja në detyrë e Mjedisit, Fitore Pacolli, ka njoftuar se sot Inspektorati Mjedisor ka nisur një aksion për rrënimin e disa objekteve të ndërtuara pa leje në pronë publike, pranë Liqenit të Radoniqit.

Pacolli theksoi se përmes këtyre veprimeve, pronat publike do të çlirohen nga uzurpimet e paligjshme.

“Aksioni ynë për vendosjen e ligjshmërisë anembanë Kosovës do të vazhdojë dhe prona publike do të lirohet nga uzurpimet e paligjshme,” ka deklaruar ajo.

Në një postim në rrjetet sociale, Pacolli bëri të ditur se po udhëtonte drejt Gjakovës për të monitoruar nga afër aksionin e Inspektoratit Mjedisor, duke shprehur angazhimin për rend dhe ligjshmëri në çdo cep të Kosovës.