**Vedat Muriqi, nga lotët në Prishtinë te triumfi ndaj Realit: Golin ua kushtoj të gjithë shqiptarëve**

Fundjava e kaluar shënoi një fitore të rëndësishme në La Liga, ku sulmuesi shqiptar Vedat Muriqi u bë protagonist. Në një mbrëmje që pritej të dominohej nga yjet e Real Madridit, Muriqi shkroi historinë e tij personale, duke udhëhequr Mallorcën drejt triumfit.

Në minutën e 90-të, pikërisht kur presioni ishte në kulmin e tij, sulmuesi i Mallorcës dërgoi topin në rrjetë, duke i shkaktuar ekipit madrilen një humbje të papritur. Ky gol i siguroi tre pikë vendimtare skuadrës së tij.

Megjithatë, ky gol ishte më shumë sesa vetëm një shënim për statistikë. Për Muriqin, ky realizim përfaqësonte një çlirim emocional, vetëm pak ditë pas zhgënjimit të madh me Kombëtaren e Kosovës. Ëndrra për kualifikimin në Botëror u shua në mënyrë dramatike pas ndeshjes ndaj Turqisë, dhe ky gol tregon forcën dhe karakterin e pathyeshëm të Vedat Muriqit.

Me 19 gola të shënuar në këtë sezon, Muriqi pozicionohet mes golashënuesve më të mirë të kampionatit spanjoll, duke e konfirmuar veten si një nga figurat kryesore të La Ligës.

Në një intervistë për DigitAlb, dhënë menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, futbollisti shqiptar foli hapur. Pavarësisht lodhjes nga udhëtimet e gjata dhe ngarkesës emocionale nga zhvillimet e fundit me kombëtaret, Muriqi nuk e fshehu as gëzimin, as përulësinë. Ai theksoi se goli kishte një dedikim të qartë: “Çdo shqiptar që ndjeu dhimbjen e eliminimit të dy kombëtareve tona,” deklaroi Vedat Muriqi, futbollist i Mallorcës.

Më pas, ai shtjelloi më tej dedikimin e tij: “Për Kosovën, për shtetin tim. Për Shqipërinë, për të gjithë shqiptarët anë e mbanë botës që na përkrahën. Më vjen keq që nuk mundëm të kualifikohemi si Kosova ashtu edhe Shqipëria, por shpresoj ndonjë herë tjetër.”

Sulmuesi foli edhe për presionin mediatik dhe debatet e shumta që pasuan humbjen ndaj Turqisë, duke shprehur dëshirën që kjo temë të mbyllet përfundimisht. “Vij nga udhëtimi, isha pak i lodhur. Kisha kaluar javë shumë emocionale. Pata telashe pas ndeshjes me Turqinë, siç e keni ndjekur në media. Nuk dua të flas më shumë, dua ta mbyll këtë temë. Më duket se kisha pasur nevojë për këtë gol; morëm tre pikë dhe jam shumë i lumtur,” përfundoi ai.

Shifrat konfirmojnë rëndësinë e këtij realizimi. Me golin ndaj Real Madridit, Muriqi arrin shifrën e 19 golave në sezon, duke u pozicionuar i dyti në listën e golashënuesve më të mirë të La Ligës, pas lojtarit që kryeson me 24 gola. Ky performancë e tij është një dëshmi e qartë e formës së shkëlqyer që po kalon.