**Tragjedi në Athinë: Shqiptari vret të dashurën dhe më pas veten**

Një ngjarje tragjike ka tronditur mëngjesin e së dielës zonën e Nea Smyrnit në Athinë. Një burrë me kombësi shqiptare dyshohet se ka vrarë me armë zjarri të dashurën e tij, një 45-vjeçare po ashtu shqiptare, dhe më pas ka kryer vetëvrasje.

Trupat e pajetë të dy personave u zbuluan në hyrjen e një pallati në rrugën “Grigoriou Kydonion 3”. Nga të dhënat paraprake të autoriteteve greke, burri dyshohet se i kishte zënë pritë 45-vjeçares. Sapo ajo mbërriti pranë ndërtesës, ai e qëlloi disa herë me armë zjarri, duke e lënë të vdekur në vend, dhe më pas qëlloi veten në kokë.

Në të njëjtin pallat ku ndodhi ngjarja banon edhe vajza e 45-vjeçares. Burimet zyrtare bëjnë me dije se viktima dhe autori nuk ishin të martuar, por kishin pasur një lidhje dashurie. Dyshohet se motivi i krimit ka qenë një konflikt i ashpër xhelozie mes çiftit, të cilët ishin zënë para pallatit pak çaste para se burri të ndërmerrte aktin fatal.

45-vjeçarja kishte marrë plagë nga arma e zjarrit në trup dhe në fytyrë, ndërsa burri gjendej me një plagë të vetme në kokë. Pranë trupit të tij, policia gjeti armën e krimit, duke përforcuar dyshimet se, pas vrasjes së gruas, ai kishte kryer vetëvrasje.

Një banore e zonës ka dëshmuar se rreth orës 05:30 të mëngjesit kishte dëgjuar tri të shtëna. “Në të gdhirë, dëgjova të shtënat. Këtu kam shtëpinë e prindërve dhe dëgjova tre të shtëna rreth orës 05:30 të mëngjesit”, ka thënë ajo.

Ajo shtoi se nuk kishte dëgjuar zhurmë automjeti dhe nuk kishte vënë re lëvizje të tjera të dyshimta në zonë.