Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Sala Jashari, u ka bërë thirrje deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) që të respektojnë mandatin e marrë nga qytetarët dhe të mundësojnë konstituimin e Kuvendit. Kjo deklaratë vjen pasi deputetët e PDK-së ishin sërish të pranishëm sot në sallën plenare të Kuvendit, ku duhej të vazhdonte seanca konstituive, por ajo nuk u mbajt.
Nga foltorja e Kuvendit, deputetja Jashari i drejtoi thirrje kryesuesit të seancës sipas moshës, Avni Deharit, që të thërrasë vazhdimin e saj në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit.
Ajo theksoi rëndësinë e respektimit të vullnetit të qytetarëve. “Sot nuk po ju kërkoj të hiqni dorë nga mandati që ju kanë dhënë qytetarët. Po ju kërkoj ta respektoni atë. Kthehuni përgjegjësisë. Kthehuni institucioneve. Kthehuni punës. Sepse Kosova ka nevojë për më shumë besim mes duarve që e ndërtojnë atë. Dhe Kosova nuk ka kohë për të pritur,” tha Jashari.
Jashari drejtoi kritika të ashpra ndaj Lëvizjes Vetëvendosje dhe Albin Kurtit, duke i akuzuar se kanë “uzurpuar” institucionet e nivelit qendror dhe se po tentojnë të marrin kompetenca edhe nga komunat.
Ajo shtroi pyetjen: “A është kjo mungesë besimi ndaj institucioneve lokale, apo është dëshirë për të pasur gjithnjë e më shumë pushtet? Nëse nuk arrin ta konstituosh Kuvendin, nëse nuk arrin të ndërtosh kompromis me të paktën një pjesë të përfaqësimit politik të qytetarëve, si mund të pretendosh se përgjigjja për një shtet më funksional është te marrësh edhe më shumë kompetenca?”
Në fund, Jashari njoftoi se PDK-ja do t’i drejtohet sërish kryesuesit të seancës sipas moshës, Avni Deharit, me kërkesën për vazhdimin e seancës konstituive brenda 48 orëve.
