Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka refuzuar kërkesat për kthimin në sistemin gjyqësor të gjyqtarëve dhe stafit administrativ serb, të cilët dhanë dorëheqje në vitin 2022. Vendimi, i cili u raportua nga Ekonomia Online, u mor me 9 vota pro, një kundër dhe një abstenim.
Si pasojë e këtij vendimi, emrat e gjyqtarëve serbë të dorëhequr do t’i dorëzohen Ushtrueses së Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, për lirim nga detyra.
Gjatë diskutimit, anëtarët e KGJK-së shprehën qëndrime të ndryshme. Artan Abazi kundërshtoi rikthimin, duke theksuar se dorëheqjet e vitit 2022 kishin qenë të parevokueshme. Ai argumentoi se katër vite jashtë sistemit i kanë bërë gjyqtarët dhe stafin administrativ të humbasin aftësitë profesionale, veçanërisht për shkak të ndryshimeve në ligje dhe praktika. Abazi ngriti gjithashtu shqetësimin për përfshirjen e disa prej tyre në aktivitete politike dhe sugjeroi se nuk përjashtohet mundësia që ndonjëri të ketë kryer vepra penale. Ai deklaroi: “Duke pasur parasysh që në vitin 2022, këta gjyqtarë me vullnetin e tyre kanë dhënë dorëheqje të parevokueshme… Konsideroj se absolutisht nuk janë të aftë të ushtrojnë pozitën sepse kanë ndryshuar ligji, praktikat, në aspektin profesional së pari.”
Në të njëjtën linjë ishte edhe Bashkim Hyseni, i cili theksoi se pranimi i kërkesave pas katër vitesh do të krijonte një precedent të rrezikshëm. Ai shtoi se dorëheqja nuk kishte qenë individuale, por e orkestruar dhe kolektive, duke sugjeruar si zgjidhje lirimin e këtyre zyrtarëve nga detyra dhe hapjen e një konkursi të ri. Edhe anëtari Ahmet Imami votoi kundër, duke u bazuar te vullneti i tyre për t’u dorëhequr.
Nga ana tjetër, anëtarja Ivana Milenkoviq mbështeti kthimin e tyre në sistem, duke argumentuar se kjo do të përmbushte garancinë kushtetuese ndaj qytetarëve. Ajo shpjegoi se refuzimi i kërkesave për tërheqjen e dorëheqjeve do të krijonte një vakum juridik dhe institucional, i cili, sipas ligjit në fuqi për gjykatat, është i pamundur të plotësohet shpejt pa cenuar rrjedhën e kornizës ligjore. Milenkoviq theksoi se me këtë hap, KGJK do t’u mundësonte gjyqtarëve të kthehen në detyra, duke mbrojtur rendin kushtetues dhe rikthyer sigurinë juridike për qytetarët.
