**Haxhiu: Mbi 1,500 persona ende të zhdukur, Serbia të hapë arkivat**
Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, së bashku me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, bënë homazhe pranë Monumentit të Personave të Zhdukur, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur.
Në këtë ditë të shënuar për personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë, Haxhiu theksoi se mendimet janë pranë familjarëve, të cilët prej gati tri dekadash presin përgjigje për më të dashurit e tyre. “Janë ende mbi 1,500 persona të zhdukur me dhunë gjatë luftës, të cilët ende nuk janë gjetur. Për familjet, pritja vazhdon, ndërsa për Republikën e Kosovës kjo mbetet një kapitull i hapur, i cili nuk do të mbyllet derisa të gjendet edhe personi i fundit”, deklaroi Haxhiu.
Ajo nënvizoi se kërkimet për personat e zhdukur nuk janë ndalur, duke përmendur gjetjet e fundit të mbetjeve mortore në disa lokacione. “Vetëm vitin e fundit, në 17 lokacione janë gjetur mbetje mortore të 30 personave. Edhe në muajin e fundit, në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut, janë gjetur mbetje mortore të të paktën 23 personave”, citoi Haxhiu.
Haxhiu falënderoi institucionet e Kosovës për punën dhe profesionalizmin e treguar në procesin e kërkimit dhe identifikimit të personave të zhdukur. “Më duhet të falënderoj institucionet e Republikës së Kosovës për profesionalizmin, për kujdesin e treguar, sidomos në këto tri lokacionet e fundit: Policinë e Kosovës, Prokurorinë, Institutin e Mjekësisë Ligjore, Komisionin Qeveritar dhe të gjithë ata që e kanë mbështetur këtë proces të ndjeshëm”, tha ajo.
Sipas Haxhiut, procesi po përballet me sfida të mëdha për shkak të mungesës së bashkëpunimit nga ana e Serbisë. Ajo përsëriti kërkesën urgjente që Beogradi të hapë arkivat, duke theksuar se kjo do të zbardhte urdhrat, ekzekutuesit dhe vendndodhjen e trupave të viktimave. “Bëj thirrje edhe një herë që Serbia të hapë arkivat. Dhe në këtë rast presim që partnerët tanë ndërkombëtarë të bëjnë presion mbi Serbinë që ajo t’i hapë arkivat”, deklaroi Haxhiu.
Ushtruesja e Detyrës së Presidentes siguroi se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë punën me përkushtim maksimal derisa të gjendet edhe personi i fundit i zhdukur.
