Ka ndërruar jetë Flora Brovina, personalitet i shquar i Kosovës, e njohur si mjeke, poete, humaniste, aktiviste e të drejtave të njeriut, ish-e burgosur politike, veterane e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), deputete dhe një nga nënshkrueset e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.

Lajmi për ndarjen nga jeta të saj është konfirmuar nga familjarët, përfshirë edhe djalin e saj, Ylli Begu, i cili publikoi njoftimin për publikun.

Në njoftimin e familjes theksohet se Brovina la pas një jetë të përkushtuar ndaj familjes, shoqërisë dhe kombit. “Si mjeke, ajo u shërbeu njerëzve me përkushtim dhe dhembshuri; si poete, la pas fjalën dhe shpirtin e saj të pasur; ndërsa vepra, qëndresa dhe humanizmi i saj lanë gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kosovës dhe të shqiptarisë,” thuhet në njoftim.

Familjarët e kujtojnë Brovinën jo vetëm për kontributin e saj të gjerë publik, por edhe për rolin e saj thelbësor brenda familjes, si nënë, gjyshe dhe motër. Djali i saj, Ylli Begu, në mesazhin prekës shprehu dhimbjen, duke theksuar: “Largimi i saj lë një zbrazëti të madhe në familjen tonë, por kujtimi, dashuria dhe vepra e saj do të mbeten përherë mes nesh.”

Familja ka njoftuar se detajet mbi ceremoninë e varrimit dhe oraret e pritjes për ngushëllime do të bëhen të ditura me kohë.