Bashkimi Evropian i ka kërkuar Kinës të kufizojë eksportet e makinave hibride në tregun e bllokut, me synimin për të shmangur një luftë tregtare. Lajmin e raportoi Financial Times këtë të enjte.

Brukseli, sipas Financial Times që citon burime të njohura me çështjen, kërkon që Pekini të kufizojë shitjet e automjeteve hibride kineze në rreth 15% të tregut të BE-së.

Një zyrtar i BE-së, i cituar nga Financial Times, ka theksuar se: “Nëse ata nuk i kufizojnë eksportet e tyre në tregun tonë, atëherë ne do të detyrohemi ta bëjmë. Kjo lidhet me përpjekjet për të ndaluar deindustrializimin. Ne duhet të veprojmë; bëhet fjalë për menaxhimin tregtar.”

Veç makinave hibride, raporti thekson se BE-ja i ka kërkuar Kinës të kufizojë edhe eksportet e produkteve të tjera, përfshirë kimikatet, ndërsa synon të zgjerojë tregjet për produktet evropiane në Kinë.

Më herët, të mërkurën, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se blloku do të përdorë çdo mjet në dispozicion për të zvogëluar atë që ajo e cilësoi një deficit tregtar “të paqëndrueshëm” me Kinën.

Në fjalimin e saj para Parlamentit Evropian, Von der Leyen theksoi se deficiti tregtar i BE-së me Kinën, i cili arriti në 360.6 miliardë euro vitin e kaluar dhe u zgjerua me 9% në gjashtë muajt e parë të këtij viti, ka arritur një pikë kthese. Ajo paralajmëroi se Evropa tashmë po përjeton një “tronditje të dytë kineze” përmes deindustrializimit, sipas raportimit të Euronews.al.

Ndërkohë, Komisioneri i Tregtisë i BE-së, Maros Sefcovic, që po udhëheq bisedimet me Kinën për të adresuar këtë deficit, ka shprehur dëshirën për rezultate të prekshme deri në tetor. Ai pritet të vizitojë Kinën në fillim të muajit të ardhshëm.