Koci publikon letrën drejtuar Qeverisë: Kërkon koordinim institucional për ndihmën ligjore të kosovarëve të arrestuar në Serbi
Avokati Arianit Koci ka bërë publike një letër dërguar kryeministrit Albin Kurti, ushtrueses së detyrës së presidentes Albulena Haxhiu dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Në këtë letër, Koci u bën thirrje institucioneve të Kosovës që të sigurojnë ndihmë ligjore profesionale për qytetarët e Kosovës të arrestuar në Serbi.
Koci thekson se në raste të ngjashme është angazhuar vazhdimisht si avokat, duke ofruar shërbimet e tij pro bono. Ai shton se këto shërbime i ka ofruar “pa pagesë” dhe se ka mbuluar vetë edhe shpenzimet e nevojshme.
Së fundmi, avokati shprehet se autoritetet serbe e kanë ndaluar disa herë për “verifikime shtesë” gjatë përpjekjeve të tij për të udhëtuar në Serbi. Kjo situatë, sipas tij, dërgon një mesazh të qartë: “nuk jam i mirëseardhur në Serbi”. Ai thekson se çdo shkuarje atje “më ekspozon ndaj rrezikut dhe ma kufizon mundësinë për t’u dalë në krah qytetarëve tanë”.
Përballë kësaj situate, Koci ka njoftuar se më 19 gusht i është drejtuar Kryeministrit, me kopje Presidentes dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, me një propozim konkret: që angazhimi i tij në këto raste të vazhdojë në koordinim me institucionet e Kosovës.
Avokati thekson se ende nuk ka marrë përgjigje nga institucionet, ndaj ka vendosur ta bëjë publike këtë komunikim sot.
