Granit Xhaka pranon falsifikimin e certifikatës së COVID-19: “Kisha frikë dhe mosbesim”

Futbollisti i njohur zviceran me origjinë shqiptare, Granit Xhaka, ka pranuar publikisht se ka siguruar një certifikatë vaksinimi të falsifikuar kundër COVID-19, duke theksuar se në atë kohë ndjente pasiguri dhe frikë ndaj vaksinës.

Pranimi i Xhakës vjen në një kohë kur Prokuroria e Luzernit në Zvicër ka nisur procedime penale ndaj tij dhe një mjekeje. Hetimet synojnë të zbardhin nëse është kryer ndonjë vepër penale lidhur me marrjen ose falsifikimin e një certifikate COVID. Autoritetet theksojnë se hetimet janë ende në zhvillim e sipër dhe, sikurse për Xhakën ashtu edhe për mjeken, vlen prezumimi i pafajësisë.

Në reagimin e tij të fundit, futbollisti ka shpjeguar arsyet që e çuan në këtë veprim. “Gjatë ditëve të fundit është raportuar shumë për një çështje nga e kaluara ime. Për këtë dua të shprehem personalisht,” filloi Xhaka. Ai shtoi se në lidhje me vaksinimin kundër COVID-19, “në atë kohë isha shumë i pasigurt dhe kisha shqetësime të mëdha. Kisha një mosbesim të thellë ndaj vaksinës dhe isha i përfshirë nga frika dhe pasiguria.”

Xhaka pranon se, në vend që të sqaronte shqetësimet e tij përmes rrugëve zyrtare, “bleva një vërtetim vaksinimi.” Ai shprehu pendesën për veprimin, duke deklaruar: “Sot e kuptoj qartë se ky veprim nuk ishte i drejtë. Ishte një gabim. Më vjen keq.” Ai theksoi se merr përgjegjësinë e plotë për vendimin e tij dhe është i gatshëm të bashkëpunojë plotësisht me autoritetet kompetente për sqarimin e çështjes.

Burimi: Indeksonline