Kina njoftoi të shtunën se ka arritur një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara për uljen e tarifave, pas takimit të zhvilluar midis Presidentit amerikan Donald Trump dhe homologut të tij kinez, Xi Jinping.
Sipas njoftimit, Kina dhe SHBA-ja janë dakordësuar për një ulje reciproke tarifash me vlerë 30 miliardë dollarësh dhe për nisjen e një dialogu mbi inteligjencën artificiale. Ky konsensus tetëpikësh u arrit gjatë vizitës së Presidentit Xi Jinping në Uashington, siç raporton agjencia e lajmeve Reuters.
Gjithashtu, palët ranë dakord të krijojnë një këshill tregtar dhe të thellojnë bashkëpunimin, duke u bazuar në rezultatet e bisedimeve të mëparshme të zhvilluara në Kuala Lumpur, bëri të ditur Ministria e Jashtme e Kinës.
Marrëveshja aktuale pason një hap të mëparshëm të dy ekonomive më të mëdha në botë për të zgjatur me dy muaj armëpushimin tregtar, i cili pritej të skadonte më 10 nëntor. Kjo shtyrje, siç deklaroi të mërkurën Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, synon të lërë më shumë kohë për të punuar mbi një marrëveshje tregtare potencialisht më të gjerë.
