**Fatalitet në Korçë: 60-vjeçari vdes në aksident me biçikletë, u përplas nga automjeti i policit**

Një aksident tragjik rrugor ka ndodhur sot në Korçë, ku ka humbur jetën një burrë 60-vjeçar nga fshati Bulgarec.

Viktima, i identifikuar si Agollin, po udhëtonte me biçikletë drejt qytetit të Korçës, siç bënte çdo mëngjes, për të tregtuar qumështin e prodhuar në fshat.

Sipas informacioneve paraprake, 60-vjeçari është përplasur nga një automjet i drejtuar nga një efektiv policie me inicialet D.M. Përplasja rezultoi fatale për Agollin, i cili nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të marra.

Ndërkohë, drejtuesi i automjetit, efektivi i policisë, ka mbetur gjithashtu i plagosur rëndë. Ai është shtruar në Spitalin Rajonal të Korçës, ku po i nënshtrohet trajtimit mjekësor.

Banorët e zonës theksojnë se ky segment rrugor kombëtar, ndërlidhës i fshatrave Bulgarec, Çiflig dhe Lumalas me qytetin e Korçës, përdoret intensivisht çdo ditë nga vendasit për transportin e qumështit dhe produkteve bujqësore, shpeshherë me biçikleta apo mjete të tjera të lehta.

Sipas tyre, ky aks rrugor paraqet rrezikshmëri të lartë për përdoruesit, dhe në të kaluarën janë regjistruar edhe aksidente të tjera ku janë përfshirë banorë të këtyre zonave.

Policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e këtij aksidenti tragjik. Grupi hetimor po punon intensivisht për të përcaktuar dinamikën e plotë të përplasjes dhe përgjegjësitë ligjore të drejtuesit të automjetit.