Mjekët e QKUK-së shpëtojnë 63-vjeçaren, i largojnë trupin e huaj nga rrugët e frymëmarrjes

Ekipet mjekësore të Klinikës së Pulmologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) kanë kryer me sukses një ndërhyrje urgjente, duke larguar një trup të huaj nga rrugët e frymëmarrjes së një pacienteje 63-vjeçare.

Pacientja u paraqit si rast urgjent, me dyshime për praninë e një trupi të huaj në rrugët e frymëmarrjes. Pas ekzaminimit me tomografi të kompjuterizuar (CT) të toraksit, mjekët konfirmuan praninë e trupit të huaj në bronkun kryesor të majtë.

Trupi i huaj kishte shkaktuar bllokim të plotë të lumenit bronkial, duke përbërë rrezik serioz për shëndetin dhe duke pasur potencial për komplikime kërcënuese për jetën.

Për shkak të gjendjes kritike dhe urgjencës, ekipi i Klinikës së Pulmologjisë ndërhyri menjëherë me bronkoskopi, me qëllim largimin e trupit të huaj dhe lirimin e rrugëve të frymëmarrjes.

Ndërhyrja ishte plotësisht e suksesshme dhe trupi i huaj u largua. Pacientes po i ofrohet trajtimi dhe kujdesi i nevojshëm mjekësor.