Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) i ka kërkuar Presidentes së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, që ta kthejë në Kuvend për rishqyrtim Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Përmes një letre zyrtare të dërguar sot, më 22 tetor, PDK-ja ka bërë të ditur se kjo kërkesë vjen pas konsultimeve të gjera, me qëllim plotësimin e disa dispozitave dhe forcimin e sigurisë juridike të ligjit.

Sipas PDK-së, rishqyrtimi synon adresimin e elementeve që mund të pengojnë zbatimin e ligjit, duke theksuar se pjesa dërrmuese e tij tashmë është finalizuar.

“Kërkesa është për rikthim në Kuvend, jo në Qeveri apo për nisjen e punës nga e para. Ky proces duhet t’i shërbejë finalizimit dhe hyrjes së ligjit në fuqi, pa vonesa të panevojshme”, thuhet në njoftimin e PDK-së.

Kjo parti ka shprehur pritjen që ligji, i cili ishte miratuar më 6 tetor 2026, të votohet sërish brenda pak javësh, pas përmirësimeve të nevojshme.

PDK-ja u ka bërë thirrje edhe ekspertëve, përfshirë Avokatin e Popullit, që të paraqesin propozimet e tyre konkrete për plotësimin e ligjit.

Ndërkohë, kjo parti ka theksuar se do të vazhdojë angazhimin për një strategji të koordinuar shtetërore për fazën e apelit në Hagë, sigurimin e fondeve dhe mbështetjen profesionale për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së.

“Gatishmëria për ta përmirësuar ligjin nuk është në asnjë mënyrë tërheqje prej tij. PDK-ja nuk do të heqë dorë nga hyrja e tij në fuqi assesi”, thuhet në reagim.

Në fund, PDK-ja ka ritheksuar se qëndron prapa nismës së saj ligjore dhe zotimit për mbështetjen e ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.