Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) i ka kërkuar presidentes së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, që ta kthejë në Kuvend për rishqyrtim Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Në një konfirmim për Ekonomia Online, PDK-ja ka bërë të ditur se kërkesa është dorëzuar përmes një letre zyrtare të enjten, më 22 tetor.

Sipas PDK-së, rishqyrtimi i ligjit do të mundësonte plotësimin e disa dispozitave dhe forcimin e sigurisë juridike, me qëllim të garantimit të të drejtave kushtetuese të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.

“Pas konsultimeve të gjera, PDK-ja vlerëson se rishqyrtimi do të mundësonte plotësimin e dispozitave të caktuara dhe forcimin e sigurisë juridike të ligjit, në funksion të interesit shtetëror dhe garantimit të plotë të të drejtave kushtetuese të çlirimtarëve tanë të cilët po gjykohen pranë Dhomave të Specializuara”, thuhet në përgjigjen e PDK-së për EO.

PDK-ja ka theksuar se mbetet prapa nismës ligjore dhe se kërkesa për rishqyrtim nuk nënkupton tërheqje nga ligji.

“Ligji është i finalizuar në pjesën dërrmuese të tij. Rishqyrtimi synon një verifikim përfundimtar profesional dhe adresimin e elementeve që mund të pengojnë zbatimin e tij. Kërkesa është për rikthim në Kuvend, jo në Qeveri apo për nisjen e punës nga e para. Ky proces duhet t’i shërbejë finalizimit dhe hyrjes së ligjit në fuqi, pa vonesa të panevojshme”, ka deklaruar PDK-ja.

Partia ka ftuar ekspertët që kanë shprehur gatishmëri për të kontribuar, përfshirë edhe Avokatin e Popullit, që të paraqesin propozimet e tyre konkrete.

PDK-ja ka shprehur pritjen që ligji të miratohet sërish brenda pak javësh, ashtu siç ishte miratuar më 6 tetor 2026.

“Presim që, ashtu siç e miratuam më 6 tetor 2026, ta miratojmë sërish brenda pak javësh, duke falënderuar të gjithë ata që e kanë mbështetur këtë ligj dhe që do të kontribuojnë në finalizimin e tij”, thuhet në përgjigje.

Ndërkaq, PDK-ja ka bërë të ditur se paralelisht do të vazhdojë angazhimin për një strategji të koordinuar shtetërore për procesin e apelit, sigurimin e fondeve të nevojshme dhe mbështetjen profesionale për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së.

“Mbështetja për apelin dhe finalizimi i ligjit duhet të ecin së bashku”, ka theksuar partia.

PDK-ja ka ritheksuar se nuk do të heqë dorë nga synimi për hyrjen në fuqi të ligjit.

“Gatishmëria për ta përmirësuar ligjin nuk është në asnjë mënyrë tërheqje prej tij. PDK-ja nuk do të heqë dorë nga hyrja e tij në fuqi assesi. Qëndrojmë prapa nismës sonë, kërkesës qytetare dhe zotimit për të mos i lënë vetëm çlirimtarët tanë”, thuhet në përgjigjen e PDK-së për Ekonomia Online.