**Milan Radoiçiq, i kërkuar nga Interpoli, shfaqet në tubim me djalin e Vuçiqit**

Milan Radoiçiq, person i kërkuar nga Interpoli për sulmin terrorist në Banjskë, është parë në një tubim parazgjedhor të Partisë Përparimtare Serbe (SNS) në Kragujevc, së bashku me Danilo Vuçiqin, djalin e presidentit të Serbisë. Këtë e raportoi mediumi serb N1.

Pamjet e siguruara nga N1 tregojnë Radoiçiqin pranë Danilo Vuçiqit, para sallës “Jezero”, ku u mbajt aktiviteti i SNS-së. Danilo Vuçiq mbërriti i shoqëruar nga disa automjete me drita sinjalizuese.

Ish-nënkryetari i Listës Srpska, Milan Radoiçiq, mori përgjegjësinë për sulmin e 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Për këtë arsye, ai është në kërkim ndërkombëtar.

Organizata Ndërkombëtare e Policisë, Interpol, lëshoi një urdhër-arrest në dhjetor të vitit 2023 për Radoiçiqin dhe 11 persona të tjerë, lidhur me sulmin terrorist në Banjskë, në veri të Kosovës.

Bashkimi Evropian dhe NATO i kanë bërë thirrje vazhdimisht Serbisë që të mbajë përgjegjës Radoiçiqin dhe grupin e tij për sulmin e Banjskës.

Veç kësaj, prej pothuajse pesë vitesh, Milan Radoiçiq dhe biznesmeni serb Zvonko Veselinoviq janë nën sanksione amerikane, për shkak të akuzave që lidhen me krimin e organizuar dhe korrupsionin.

N1 raporton gjithashtu se Radoiçiq, me një grup personash, kishte frikësuar banorët e Kosjeriqit në Serbi gjatë zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar. Dëshmitarë okularë dhe grupi qytetar “Njerëz të ndershëm për një Kosjeriq të pastër” deklaruan se prania e Radoiçiqit në prag të tubimit të SNS-së në Kosjeriq ishte cilësuar si “kërcënuese”. Sipas dëshmive, ai kishte mbërritur me automjete fuoristradë, kishte vizituar kafene, ishte takuar me zyrtarë lokalë dhe kishte kërcënuar qytetarët.