Pamje nga shpëtimi i aktores Demet Özdemir mes përmbytjeve në Stamboll
Aktorja e njohur turke Demet Özdemir është evakuuar me sukses nga zona e përmbytur e Stambollit, pas orëve të ankthit dhe thirrjeve për ndihmë. Pamjet që dëshmojnë momentet e shpëtimit të saj tashmë janë bërë publike.
Reshjet e dendura që goditën Stambollin mbrëmjen e së mërkurës shkaktuan përmbytje masive në zonën Ayazağa, ku ujërat përshinë edhe studiot televizive, ku ndodhej aktorja.
Özdemir mbeti e bllokuar së bashku me shumë persona të tjerë, përfshirë këngëtarin e njohur Murat Boz. Ky i fundit kishte kërkuar më herët publikisht ndërhyrjen e autoriteteve, duke theksuar se situata ishte rënduar dhe se energjia elektrike ishte ndërprerë.
Pas një operacioni të organizuar shpëtimi, ekipet e emergjencës arritën te objekti me gomone, duke mundësuar evakuimin e personave të bllokuar.
Në pamjet e publikuara së fundmi, Demet Özdemir shihet gjatë operacionit, ndërsa pjesëtarët e ekipeve të shpëtimit e ndihmojnë të zbresë nga gomonia dhe të largohet nga zona e përmbytur.
Operacioni u realizua me angazhimin e disa institucioneve, mes tyre Agjencia Turke për Menaxhimin e Fatkeqësive (AFAD), zjarrfikësit dhe Roja Bregdetare turke.
Murat Boz gjithashtu është evakuuar, ndërsa pamjet e publikuara pasqyrojnë qartë ashpërsinë e natës së vështirë që përjetuan artistët dhe dhjetëra persona të tjerë, të bllokuar nga vërshimet.
