Policia e Kosovës dhe KFOR-i vizituan pjesën veriore të Kosovës për të vlerësuar bashkëpunimin në sigurinë kufitare. Më 15 tetor 2026, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, dhe drejtori i Departamentit për Kufi, nënkolonel Fehmi Xhata, pritën në vizitë komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Roberto Vergori, së bashku me admiralin George M. Wikoff, komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli. Delegacionet vizituan njësitë policore kufitare dhe patrullat e përbashkëta të Policisë së Kosovës dhe KFOR-it në veri.

Qëllimi i vizitës ishte vlerësimi i përpjekjeve të përbashkëta në mbikëqyrjen e brezit kufitar, përfshirë vijën e gjelbër dhe vijën e kaltër, si dhe thellimi i bashkëpunimit dhe koordinimit ndërmjet njësive të tyre.

Gjatë takimeve, u theksua bashkëpunimi i shkëlqyer dhe i vazhdueshëm mes Policisë së Kosovës dhe KFOR-it. U vu theksi te rëndësia e patrullimeve të përbashkëta, shkëmbimit të informacionit dhe koordinimit në terren, si elemente kyçe për mbikëqyrjen kufitare dhe forcimin e sigurisë.

Palët nënvizuan rëndësinë e vijimit të bashkëpunimit dhe koordinimit ndërinstitucional, duke e konsideruar atë një kontribut thelbësor për ruajtjen e një mjedisi të sigurt, garantimin e paqes dhe stabilitetit, si dhe sigurinë për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Policia e Kosovës mbetet e angazhuar plotësisht në përmbushjen e mandatit të saj ligjor dhe në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me KFOR-in dhe partnerët ndërkombëtarë, gjithmonë në shërbim të sigurisë dhe stabilitetit në Republikën e Kosovës.