Mijëra qytetarë morën pjesë të martën mbrëma në Portugali, kryesisht në Lisbonë dhe Porto, në demonstrata të reja për të drejtën e strehimit. Gjatë ndërhyrjes së policisë, 55 persona u arrestuan dhe dy u plagosën.

Forcat e rendit ndërhynë herët të martën për të larguar tendat e aktivistëve. Autoritetet portugeze njoftuan 55 arrestime dhe dy të plagosur gjatë operacionit policor në Lisbonë. Në Sheshin Rossio të kryeqytetit portugez, aktivistët votuan duke ngritur duart për të rivendosur kampin atje, me synimin për të vazhduar protestën e tyre.

Protestuesit mbanin pankarta ku shkruhej: “Më detyruan të dal në rrugë për të bërtitur” dhe “Lisbona nuk është në shitje”, ndërsa ishin mbledhur në Sheshin Rossio nën mbikëqyrjen e policisë.

Në orët e para të së martës, policia ndërhyri për të shpërndarë kampet e aktivistëve në Lisbonë dhe Porto, duke hequr gjithsej 228 tenda. Banorët në Sheshin Rossio formuan një zinxhir njerëzor në përpjekje për të vonuar ndërhyrjen e policisë, përpara se të shpërthenin përleshjet me forcat e rendit.

Policia portugeze deklaroi se “përdorimi i forcës” ishte “i justifikuar” dhe i kufizuar, për shkak të refuzimit të protestuesve për t’u larguar nga zona pavarësisht urdhrave të autoriteteve. Ministria e Brendshme vlerësoi “profesionalizmin” e oficerëve, duke theksuar se i kishte dhënë përparësi dialogut deri në momentin e fundit.

Presidenti portugez, Antonio José Seguro, bëri thirrje për një “marrëveshje të gjerë” ndërmjet partive për të miratuar “masa afatgjata” në adresimin e krizës së strehimit.

Këto protesta synojnë të nxjerrin në pah krizën e strehimit në Portugali, e cila karakterizohet nga çmimet në rritje të pronave. Të frymëzuar nga kampet e ngritura në Spanjë, si ai në Puerta del Sol të Madridit, disa aktivistë synojnë të koordinojnë përpjekjet e tyre në të gjithë Gadishullin Iberik.