Ambasada e Ukrainës në Mal të Zi u ka bërë thirrje partnerëve ndërkombëtarë që të shtojnë presionin ndaj Rusisë dhe të forcojnë mbështetjen për mbrojtjen e Ukrainës, duke paralajmëruar për intensifikimin e sulmeve ndaj civilëve gjatë muajve të fundit.

Në një postim në rrjetin social X, ambasada ka deklaruar se miliona njerëz kanë vuajtur pasojat e krimeve që ia atribuon Rusisë që nga fillimi i pushtimit, përfshirë vrasjen e civilëve, torturimin dhe ekzekutimin e të burgosurve të luftës, si dhe largimin e fëmijëve ukrainas nga familjet e tyre.

Sipas deklaratës, sulmet kanë shkatërruar lagje të tëra dhe qytete, ndërsa në shënjestër kanë qenë edhe spitale, shkolla, universitete, kafene, dyqane dhe kopshte të fëmijëve.

“Rusia duhet të marrë një sinjal të qartë se krimet e saj nuk do të mbeten pa u ndëshkuar”, ka theksuar ambasada, duke kërkuar nga partnerët ndërkombëtarë që veprimet e Rusisë të pasohen me masa konkrete.