Kryediplomati shqiptar, Ferit Hoxha, u ka bërë thirrje shqiptarëve të Luginës së Preshevës të marrin pjesë masivisht në zgjedhje, duke theksuar se çdo votë është thelbësore për të ardhmen e tyre politike dhe sociale. Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë theksoi rëndësinë e ushtrimit të së drejtës demokratike dhe të përfaqësimit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Hoxha nënvizoi se pjesëmarrja e lartë në votime ndikon drejtpërdrejt në forcimin e zërit të qytetarëve dhe garanton një përfaqësim më të mirë të të drejtave dhe interesave të tyre. Ai e cilësoi votimin jo vetëm si një e drejtë themelore demokratike, por edhe si një mundësi kruciale për të siguruar që zëri i tyre të dëgjohet me peshën e duhur.
“Sot është dita për ta bërë këtë, duke marrë pjesë masivisht në votime dhe duke ushtruar lirisht të drejtën tuaj demokratike,” shkroi Hoxha. “Sa më e madhe pjesëmarrja, aq më i fortë është zëri juaj për të drejtat, përfaqësimin dhe të ardhmen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.” Ai e mbylli mesazhin me thirrjen për të votuar “për zërin tuaj, për të drejtat tuaja, për të ardhmen tuaj.”
