**Deliu Kodra: Secili që kishte përgjegjësi ndaj Arlinda Zekajt, duhet të japë llogari**
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu Kodra, ka reaguar ashpër lidhur me video-incizimin e publikuar, ku dëgjohet biseda e Arlinda Zekajt, tashmë e ndjerë, e cila u vra nga kunati i saj në Pejë, me një polic në stacionin policor të qytetit.
Në atë video, polici i thotë Zekajt se nuk ka obligim të merret me rastin e saj.
Në reagimin e saj, Deliu Kodra theksoi se problemi shkon përtej rastit individual, duke u shprehur: “Nuk të trondit vetëm polici që i thotë Arlindës se nuk është i obliguar të merret me të. Të trondit profesori që nuk ‘merret me femra’. Të trondit kryeshefi që përdor gjuhë poshtëruese ndaj një gruaje. Aty e kupton që kjo përbuzje ka gjetur shtrirje gjithandej. Ka marrë tituj, ka veshur uniformë, ka marrë poste dhe pushtet. Gruaja, përballë tyre, duhet të luftojë fillimisht për t’u dëgjuar, për t’u trajtuar me dinjitet dhe më pas për të marrë mbrojtjen që i takon.”
Ajo shtoi se është dëshpëruese që ende duhet të kërkohet minimumi njerëzor.
“Arlinda e kërkoi ndihmën sa ishte gjallë. Sot, secili që kishte përgjegjësi ndaj saj duhet të japë llogari,” përfundoi deputetja.
