Sveçla: Raporti i Policisë zbulon shkelje serioze në rastin e Arlinda Zekajt
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se 11 zyrtarë policorë janë suspenduar. Ky vendim vjen pas gjetjeve të një raporti mbi neglizhencën e Policisë së Kosovës në rastin e Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor.
Sveçla theksoi se Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka verifikuar të gjitha veprimet dhe mosveprimet e forcave të rendit lidhur me rastin. Raporti i plotë iu dorëzua kryeministrit Albin Kurti një ditë më parë.
Verifikimet e kryera gjatë 72 orëve të fundit kanë konfirmuar shqetësimet e ngritura, duke nxjerrë në pah dështime serioze në trajtimin e raportimeve dhe në përmbushjen e përgjegjësive institucionale për mbrojtjen e jetës së Arlinda Zekajt. Ministri specifikoi se raporti përfshin veprimet e Policisë dhe të Inspektoratit Policor të Kosovës.
Në mesin e 11 zyrtarëve të suspenduar janë: drejtori rajonal i Policisë në Pejë, shefi i hetimeve rajonale, komandanti dhe zëvendëskomandanti i stacionit policor në Pejë, shefi i sektorit të hetimeve dhe ai i operativës në të njëjtin stacion, komandanti i nënstacionit policor në Vitomiricë, si dhe katër hetues të stacionit policor në Pejë.
Gjetjet e raportit, të cilat pritet të shqyrtohen edhe nga prokuroria, theksojnë shkelje serioze nga disa zyrtarë policorë dhe pjesëtarë të zinxhirit komandues në Pejë. Sveçla specifikoi se ndër këto shkelje përfshihen: moszbatimi i urdhrit të parë për mbrojtje, vonesa në ekzekutimin e urdhrit të dytë, mosmarrja parasysh e kërkesës për rivlerësimin e rrezikut dhe mosndërmarrja e masave për shtimin e kapaciteteve policore, të domosdoshme për garantimin e sigurisë së Arlindës.
Ministri Sveçla theksoi se suspendimi i zyrtarëve nuk është fundi i procesit. Ai kërkoi një hetim të plotë dhe përcaktim të përgjegjësisë ligjore për të gjithë ata që neglizhuan raportimet dhe paralajmërimet e viktimës. “Asnjë suspendim nuk mund të konsiderohet i mjaftueshëm pa një hetim të plotë dhe të mirëfilltë, si dhe pa përcaktimin e përgjegjësisë para ligjit për çdo neglizhencë, për çdo raportim që nuk u mor seriozisht dhe për çdo paralajmërim që Arlinda bëri për rrezikun e jetës së saj, por që nuk mori reagimin e duhur institucional,” përfundoi Sveçla.
