**Gërvalla: Raporti për vrasjen e Arlinda Zekajt, pjesërisht i plotë dhe me mangësi serioze**
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka deklaruar se raporti për vrasjen e 49-vjeçares Arlinda Zekaj është vetëm pjesërisht i plotë, meqenëse jo i gjithë dokumentacioni i nevojshëm është shqyrtuar.
Në një konferencë për media, ku ishte e pranishme së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Gërvalla theksoi se dokumentacioni i analizuar deri tani ka nxjerrë në pah mangësi serioze, vonesa dhe mosveprime institucionale.
Ajo veçoi se një ndër konstatimet më shqetësuese të raportit është se Arlinda Zekaj nuk u vra pa paralajmërim.
“Raporti është pjesërisht i plotë. Dokumentacioni i shqyrtuar vë në pah mangësi serioze, vonesa dhe mosveprime institucionale. Konstatimi më shqetësues është se Arlinda nuk u vra pa paralajmërim”, deklaroi Gërvalla.
Ministrja e Drejtësisë kërkoi gjithashtu sqarime nga Komuna e Pejës për përgjegjësinë e saj në mbikëqyrjen e Qendrës për Punë Sociale. Ajo rikujtoi se kryetari i komunës ka kompetenca të veçanta sipas Ligjit për Parandalimin e Dhunës në Familje.
Gërvalla, si koordinatore kombëtare për këtë çështje, sqaroi se kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxhiri, është koordinatori lokal. Ajo shtoi se nga komuna, deri në përfundimin e raportit, ishte marrë vetëm një përgjigje e shkurtër.
Sipas saj, në përgjigjen me gjithsej shtatë rreshta, komuna kishte konfirmuar vetëm diskutimin e rastit në mekanizmin koordinues komunal, pa ofruar informacione për masa konkrete ndaj mangësive të evidentuara apo për plane të ardhshme.
“Prandaj, nuk kemi marrë informacion as për masa konkrete lidhur me mangësitë e evidentuara, as për planet që ka komuna për ditët në vijim. Presim sqarime edhe nga kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxhiri”, përfundoi Gërvalla.
