**AKP Zhvillon Ceremoninë e Hapjes së Ofertës për 146 Asete**
Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka zhvilluar sot ceremoninë e hapjes së ofertave dhe publikimit të çmimeve për asetet e ofruara në shitje, përmes Procesit të Likuidimit nr. 76 (ShAL 76).
Në këtë proces janë përfshirë gjithsej 146 asete, të strukturuara sipas kategorive dhe potencialit të tyre zhvillimor, duke ofruar mundësi të shumta për investime në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.
Mes aseteve të vëna në dispozicion janë njësi bujqësore, shumë prej të cilave me tokë pjellore të përshtatshme për bujqësi intensive dhe pemëtari; njësi rezidenciale, ideale për zhvillimin e banesave urbane dhe rurale; si dhe asete me funksione të ndryshme komerciale, të përshtatshme për investime afariste.
Oferta përfshin gjithashtu depo me potencial të madh për qëllime logjistike dhe magazinimi, si dhe lokale afariste që paraqesin mundësi konkrete për zhvillimin e bizneseve të reja. Ceremonia u zhvillua në sallën e konferencave të Hotelit Grand në Prishtinë.
