**Kadetët e FSK-së diplomojnë në Gjermani, Ministri Maqedonci: Do t’i bashkohen Ushtrisë së Kosovës**

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, bëri të ditur se në Ambasadën e Kosovës në Berlin u zhvillua ceremonia e diplomimit të kadetëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), të cilët përfunduan studimet trevjeçare në akademitë ushtarake të Gjermanisë.

Në këtë ceremoni, siç theksoi ministri, morën pjesë edhe përfaqësues ushtarakë nga Ministria Federale e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura të Gjermanisë.

Maqedonci uroi kadetët e FSK-së për suksesin në studime, ndërsa theksoi se ata do t’i bashkohen radhëve të oficerëve të Ushtrisë së Kosovës.

Duke përmendur emrat, ministri deklaroi: “Urime Xheto Kelmendit për diplomimin në fushën e këmbësorisë, Leutrim Nikës në logjistikë, Gentri Azemit në IT ushtarake, si dhe Lavdim Sylejmanit dhe Betim Elshanit në polici ushtarake. Pas diplomimit, ata do t’i bashkohen trupës së oficerëve të Ushtrisë së Kosovës dhe do t’i shërbejnë vendit me njohuritë dhe përgatitjen e fituar.”

Deri më tani, 18 kadetë kanë përfunduar studimet e tyre në akademitë ushtarake gjermane, ndërsa 16 të tjerë aktualisht vijojnë studimet në institucione të ndryshme ushtarake atje. Maqedonci theksoi se, përmes programit “Military Training Assistance”, mbi 80 pjesëtarë të FSK-së kanë përfituar nga trajnime të ndryshme në Gjermani.

Në një postim në Facebook, ministri Maqedonci theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi: “Ky bashkëpunim po kontribuon në përgatitjen e kuadrove profesionale dhe në zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve tona mbrojtëse. E falënderoj Ministrinë e Mbrojtjes së Gjermanisë për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm, ndërsa kadetëve tanë u uroj suksese në shërbim të Republikës së Kosovës.”