Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar gatishmërinë e tij për të bashkëpunuar me Prokurorinë Speciale, por ka theksuar rëndësinë që institucioni i drejtësisë të mos instrumentalizohet politikisht. Lajmin e ka raportuar Ekonomia Online.

Rama, duke folur para gazetarëve, theksoi: “Detyra jonë është të zhvillojmë kryeqytetin, ndërsa puna e Prokurorisë është të vëzhgojë nëse të gjitha veprimet tona janë në përputhje me ligjin. I kam bërë thirrje Prokurorisë të ruajë pavarësinë dhe të mos ndikohet nga politika, pasi ne jemi të angazhuar në zhvillimin e projekteve madhore dhe jemi të vetëdijshëm për sfidat që hasim me nivelin qendror. Ata madje janë përpjekur të na bllokojnë në mënyrë të paligjshme.”

Kryetari i Prishtinës shtoi se: “Deri më sot, dy vjet kanë shkuar dëm. Kjo periudhë kohore do të mund të ishte shfrytëzuar në të mirë të qytetarëve. Për çdo proces që mund të ngrejë shqetësime, unë e kam ftuar Prokurorinë edhe më parë. Jemi plotësisht të hapur për shqyrtimin e çdo procesi dhe procedure që ndërmerret në fushën e prokurimit publik, pasi kjo është në thelb edhe natyra e punës së tyre.”