**Ekspozita “Kosova e Kadaresë” hapet sot në Prishtinë, në 90-vjetorin e shkrimtarit**

Një ekspozitë e veçantë, titulluar “Kosova e Kadaresë”, do të hapet sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” në Prishtinë. Kjo ngjarje kulturore i kushtohet 90-vjetorit të lindjes së shkrimtarit të shquar shqiptar, Ismail Kadare.

Ekspozita prezanton një koleksion të pasur materialesh që hedhin dritë mbi jetën, krijimtarinë dhe rrugëtimin letrar të Kadaresë. Vizitorët do të kenë mundësinë të shohin letra të rralla drejtuar liderëve botërorë, dorëshkrime origjinale, botime të para dhe objekte personale nga fondi i tij. Pjesë e ekspozitës janë edhe materiale të ruajtura në fondet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, si dhe nga koleksione muzeale.

Kjo ekspozitë prestigjioze është organizuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, Shtëpia Studio Kadare dhe Bashkia Tiranë.

Ceremonia e hapjes do të mbahet sot, në orën 11:00, në hollin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.