**Çitaku: Puna e grupit për Hagën do të jetë konfidenciale, prioritet veprimet**
Vlora Çitaku, ushtruese detyre e kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka deklaruar se anëtarët e grupit punues për hartimin e strategjisë së apelit në Hagë janë dakorduar që puna e tyre të mbahet konfidenciale dhe të mos ketë deklarata publike për përmbajtjen e diskutimeve.
Ky vendim u mor pas përfundimit të takimit të dytë të grupit, i cili u mbajt në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës. Çitaku theksoi se anëtarët janë pajtuar që procesi të zhvillohet larg syrit të publikut, duke mos zbuluar detajet e marrëveshjeve dhe diskutimeve.
“Ne kemi rënë dakord për konfidencialitetin e këtij grupi. Puna duhet të flasë, jo deklaratat. Disa marrëveshje janë të brendshme, jo për publikim,” citohet të ketë thënë Çitaku.
Në takimin e grupit punues, i cili udhëhiqet nga ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, morën pjesë edhe deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, deputeti i Aleancës, Bekë Berisha, si dhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi.
Ky grup punues është themeluar me qëllim të hartimit të strategjisë shtetërore për apelimin e aktgjykimit të shkallës së parë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Dhomat e Specializuara në Hagë.
