Seanca e Kuvendit shtyhet, Kryeparlamentarja Haxhiu kritikon deputetët: Nuk mund të presim pafundësisht

Seanca e sotme plenare e Kuvendit të Kosovës është shtyrë për nesër, në orën 11:00. Ky vendim erdhi pasi deputetët nuk u kthyen me kohë në sallën e seancës pas pauzës së caktuar.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, vendosi të mos vazhdojë punimet, pasi vonesa e deputetëve për t’u kthyer në seancë arriti rreth 30 minuta.

Haxhiu shprehu pakënaqësi të thellë për mungesën e deputetëve, duke theksuar se nuk mund të pritej pafundësisht për rifillimin e punimeve. Ajo deklaroi: “Seanca vazhdon punimet nesër në orën 11:00. Nuk është serioze që edhe 30 minuta pas orës 14:00 deputetët nuk janë kthyer. Unë nuk kam mundësi të funksionoj e të pres deri në pafundësi.”