**Defektohet gypi kryesor i ujësjellësit në Hajvali, ndërpritet furnizimi me ujë në disa zona të Prishtinës**

Furnizimi me ujë të pijshëm është ndërprerë përkohësisht në disa pjesë të Prishtinës, pas çarjes së një gypi të ujësjellësit me diametër 200 milimetra në zonën e Hajvalisë.

Këtë njoftim e ka dhënë Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, e cila ka bërë me dije se nga ky ndërprerje janë prekur lagjet Veternik, zona pranë Gorenjes, zona pranë Rezonancës, lagjja Qershia, lagjja Qëndresa dhe lagjja Nic.

Sipas të dhënave nga kompania, ekipet teknike janë në terren dhe po punojnë intensivisht për riparimin e defektit, me qëllim rikthimin sa më të shpejtë të furnizimit normal me ujë të pijshëm.