**Debat i ashpër në Prishtinë: Banorët kundërshtojnë projektin për Fontanën e Ulpianës**

Fontana e Ulpianës, një pikë referimi ikonike për kryeqytetin, është bërë objekt i një debati të fortë publik. Një projekt i ri komunal, i cili parashikon ndërtimin e objekteve për Lojërat Mesdhetare 2030 dhe një parking nëntokësor, ka ngjallur kundërshtime të ashpra nga banorët dhe opozita.

Vendimi për këtë projekt u mor më 6 nëntor 2026 në Kuvendin Komunal të Prishtinës. Sipas tij, në zonën e Fontanës planifikohet ndërtimi i një objekti të ri për akomodimin e sportistëve dhe stafit përcjellës gjatë Lojërave Mesdhetare 2030, si dhe një parking nëntokësor.

Ky propozim ka shqetësuar qytetarët, të cilët druhen se ndërtimet do të zhdukin hapësirat e gjelbra ekzistuese. Kundërshtimi fillimisht është shprehur nga banorët, e më pas edhe nga opozita.

Hajrie Hyseni, banore e Ulpianës, theksoi se këto ndërtime janë të panevojshme dhe se gjelbërimi duhet ruajtur, duke kritikuar qeverisjen komunale. Edhe Ismet Muhaxheri ndan të njëjtin mendim për ruajtjen e hapësirave të gjelbra. Hedije Kastrati vlerëson se projekti duhet të realizohet më larg qendrës së qytetit.

Kryesia e Qendrës së Prishtinës nga Lëvizja Vetëvendosje gjithashtu ka shprehur kritika. Flutura Jusufi nga kjo kryesi, për KosovaPress, e cilësoi projektin si të dëmshëm për të gjithë banorët e Prishtinës.

Në anën tjetër, drejtori i Drejtorisë së Planifikimit Strategjik në Komunën e Prishtinës, Bekim Ramku, për KosovaPress, siguroi se projekti nuk do ta cenojë Fontanën. Ai shpjegoi se aty planifikohet të ndërtohet një parking nëntokësor për 750-800 vetura.

“Caktimi i lokacionit është bërë për një parking nëntokësor me kapacitet 750-800 vetura apo edhe më shumë nën Fontanë, pa e cenuar Fontanën dhe rrethin,” tha Ramku.

Drejtori pranoi se qytetarët nuk e kanë ende të qartë se çfarë do të ndërtohet dhe për këtë “fajëson” vetë Komunën për mungesë komunikimi.

“Fatkeqësisht, qytetarët nuk e kanë të qartë se çfarë do të realizohet aty. Një pjesë e përgjegjësisë bie edhe mbi vetë Komunën, e cila nuk e ka komunikuar mjaftueshëm qartë projektin e propozuar. Komunës i mbetet t’ua shpjegojë banorëve se si është konceptuar ndërhyrja, ndërsa vendimi, gjithsesi, duhet të merret në bashkëpunim me ta, pasi ndërhyrja do të bëhej në interes të banorëve. Nëse banorët mendojnë se nuk ka nevojë për një ndërhyrje të tillë, atëherë, natyrisht, ajo nuk do të realizohet,” potencoi Ramku.

Deri më tani, projekti është përballur vetëm me kritika dhe kundërshtime nga publiku.