Për më pak se një vit në Kosovë u mbajtën katër palë zgjedhje.

E këto i kushtuan miliona euro buxhetit të shtetit.

Për organizimin e zgjedhjeve të 9 shkurtit, dy raundeve te zgjedhjeve lokale dhe zgjedhjeve të 28 dhjetorit, buxhetit të vendit iu morën rreth 23 milionë euro.

E në rast që nuk bëhet zgjedhja e presidentit deri më 28 prill vendi rrezikon të shkojë përsëri në zgjedhje të parakohshme.

“Viti i 2026 nuk është një vit zgjedhor çka do të thotë se në buxhetin vjetor të KQZ-së i ndarë sipas ligjit për buxhetin nuk ka mjete të planifikuar për një proces të mundshëm zgjedhor të parakohshëm. Në rrethana të tilla ashtu siç ka vepruar KQZ-ja edhe në të kaluarën pra kur ka pasur zgjedhje të parakohshme KQZ e përgatit kërkesën buxhetore dhe të njëjtën e përcjellë në Qeveri”, tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezit mbajtja e zgjedhjeve në një interval të shkurtër do të jetë sfiduese. Ai ka treguar se sa iu duhet kohë për të organizuar edhe një proces të ri zgjedhor.

“Po flasim për një proces eventual zgjedhor të parakohshëm kjo do të thotë se ky proces zgjedhor do të organizohet brenda një periudhe të shkurtët kohore, më së shumti kohë që mund të ketë KQZ-ja në dispozicion janë 45 ditë dhe te gjitha aktivitetet e tilla parashihen të organizohen brenda një periudhe të shkurtët kohore.,Në rrethana të tilla sipas ligjit për zgjedhje të përgjithshme kur ka zgjedhje të parakohshme KQZ ka të drejtën e shkurtimi të aktiviteteve zgjedhore”, u shpreh ai.

Mbajtja e shpeshtë e zgjedhjeve sipas profesorit të ekonomisë, Fidan Qerimi ka pasoja të shumta për vendin.

“Kjo kosto është shumë më e ulët se sa pasojat tjera të mos funksionimit të Qeverisë dhe parlamentit. Ne në momentin që nuk kemi një parlament funksional ose kemi proces zgjedhor atëherë fokusi është tek zgjedhjet dhe jo tek funksionimi i institucioneve shtetërore dhe ato përformojnë në nivel shumë të ulët. Kjo është një pasojë shumë më shumë se 10 milionëshi. E këto nuk janë pasoja afat shkurtra por janë pasoja afatgjata”, vlerëson Qerimi.

Vetëm për zgjedhjet e 28 dhjetorit, sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u shpenzuan rreth 7 milionë euro.