Me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, avokati Ardian Bajraktari theksoi rëndësinë jetike të mediave të lira për funksionimin e demokracisë. Ai paralajmëroi se, pa një shtyp të lirë, demokracia zbehet dhe e vërteta hesht.
Bajraktari shpjegoi se liria e medias nuk duhet konsideruar si luks, por si një shtyllë themelore që garanton informimin e drejtë të qytetarëve dhe stabilitetin e një shoqërie demokratike.
“Gazetarët qëndrojnë në vijën e parë të së vërtetës, shpesh përballë presioneve, kërcënimeve, sulmeve dhe pasigurisë. Megjithatë, ata vazhdojnë të informojnë, të zbulojnë dhe të mbrojnë të drejtën e publikut për të ditur,” deklaroi Bajraktari. Ai shtoi se çdo cenim i lirisë së medias përbën një goditje të drejtpërdrejtë ndaj vetë themeleve të demokracisë.
Në fund të reagimit të tij, avokati Bajraktari shprehu mirënjohje dhe respekt të thellë për punën e gazetarëve dhe të gjithë punonjësve të medias.
