“Gjithçka është e mundur, një hap larg përrallës së Kupës së Botës”, – kështu shkruan prestigjiozja britanike The Guardian për arritjen e Kombëtares së Kosovës në futboll. Ata po shndërrohen në një sensacion të Kupës së Botës, një komb futbolli që i ka vetëm pak më shumë se një dekadë që nga themelimi, dhe me më pak banorë se shteti i Australisë së Jugut. Një “Virxhinia Perëndimore” ballkanike, por me një sipërfaqe më të vogël dhe një të kaluar të trazuar.
Kosova “e vogël” është vetëm një ndeshje larg paraqitjes së saj të parë në një Kupë Bote, çka do t’i siguronte një vend në Grupin D, së bashku me Australinë, Paraguain dhe bashkëorganizatorët, Shtetet e Bashkuara.
Ajo që i ndan nga kjo arritje historike është një ndeshje e vetme play-off, një finale vendimtare, kundër Turqisë në shtëpi, në Prishtinë, të martën. Kjo shënon një përmbyllje të mrekullueshme të një fushate kualifikuese, e cila është kthyer në një burim optimizmi dhe krenarie kombëtare.
Trajneri i Kosovës, Franco Foda, deklaroi se ndeshja e së martës do të tërhiqte 100,000 njerëz – gati gjysmën e popullsisë së kryeqytetit, Prishtinës – nëse Stadiumi “Fadil Vokrri” do të kishte kapacitetin e mjaftueshëm për t’i pritur të gjithë. Fatkeqësisht, kapaciteti i tij është vetëm 14,000 vende, megjithëse 25,000 njerëz u futën për një koncert të reperit 50 Cent në vitin 2007, një ngjarje e cilësuar si një moment i rëndësishëm shërimi pas luftës.
Ky është një vend ku konflikti nuk harrohet lehtë. Jo larg stadiumit, një stacion policie u bombardua nga NATO gjatë luftës së viteve 1998-99. Në veri të vendit, tensionet ende zienjë me Serbinë fqinje.
Për një vend si Kosova, futbolli ka një domethënie më të madhe. “Si kombëtare, ne u bëmë simbol se gjithçka është e mundur”, thotë mesfushori i Melbourne City, Elbasan Rashani, i cili luajti 29 herë për Kosovën mes viteve 2016 dhe 2024. “Ne i treguam popullit të Kosovës rrugën drejt njohjes”.
Pas fitores dramatike 4-3 ndaj Sllovakisë në gjysmëfinalen e play-off-it në Bratislavë të enjten, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, i quajti lojtarët kosovarë “gladiatorë”. Kosovarët e festuan fitoren me fishekzjarre në rrugët e Prishtinës dhe me komente entuziaste në rrjetet sociale. Sllovakia, ashtu si Serbia, nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, dhe u theksua se asnjëra prej këtyre dy përfaqësueseve nuk do të merrte pjesë në Kupën e Botës këtë verë.
Kosova mund të jetë më afër se kurrë një paraqitjeje historike në Kupën e Botës, por Foda theksoi se njerëzit nuk duhet të rrëmbehen nga emocionet. “Kemi tifozë emocionalë, por duhet të jemi të kujdesshëm dhe të mos lejojmë veten të bëjmë gabime. Suksesi arrihet vetëm duke ruajtur qetësinë”.
Sulmuesi yll i Kosovës, Vedat Muriqi, i cili luan për Mallorcën në Spanjë, tha se arritja në Kupën e Botës është kulmi i karrierës për çdo futbollist dhe se ka mbetur vetëm “një hap i vogël”. “Pastaj mund t’u sjellim lumturi njerëzve në mbarë Kosovën”, shtoi ai.
Megjithatë, Turqia – e renditur e 23-ta në botë – paraqet një sfidë të fortë. “Ne i njohim cilësitë e Turqisë. Ata janë një ekip më i fortë se Sllovakia. Por njohim edhe dobësitë e tyre”, tha sulmuesi. “Do të japim më të mirën tonë. Me mbështetjen e tifozëve, besoj se do të jetë pak më e lehtë”.
Në vitin 2021, Kosova përfundoi në vendin e fundit në grupin e saj kualifikues për Kupën e Botës, duke fituar vetëm një ndeshje. Para shortit për edicionin e vitit 2026, kosovarët renditeshin në vendin e 99-të, kur nisën kualifikimet, madje pas ekipeve historikisht të vogla, si Luksemburgu.
Ata konsideroheshin qartazi autsajderë në një grup të përbërë nga Suedia, Zvicra dhe Sllovenia, dhe kualifikimi dukej pothuajse i pamundur pas humbjes 4-0 në Bazel në ndeshjen e parë. Por dy fitore befasuese kundër Suedisë, si dhe një tjetër surprizë ndaj Sllovenisë, i siguruan Kosovës një vend në play-off.
Një paraqitje në Kupën e Botës do të ishte një arritje frymëzuese për një vend që shpalli pavarësinë në vitin 2008 dhe që iu bashkua FIFA-s dhe UEFA-s vetëm në vitin 2016.
Rashani – i lindur në Suedi dhe i rritur në Norvegji nga prindër kosovarë, të cilët ishin larguar nga vendlindja në vitin 1992 – pati një rol të rëndësishëm në periudhën formuese të ekipit, si një nga disa lojtarë të diasporës kosovare që u ftuan të luanin. “Ne gjithmonë kemi besuar,” tha ai.
“Më kujtohet trajneri ynë i parë, Albert Bunjaki, në kohën kur donin të krijonin një ekip kombëtar. Ai merrte makinën e tij dhe udhëtonte nëpër gjithë Evropën për të na takuar një nga një, ne lojtarët, për të na treguar për projektin dhe për të na bindur të luanim për Kosovën. Që herët, mund ta ndjeje se kjo ishte diçka e veçantë”.
Kosova ishte vetëm 90 minuta larg kualifikimit për Euro 2020, kur një ekip i dobësuar nga mungesat për shkak të masave kufizuese të COVID-19 humbi 2-1 në një ndeshje play-off ndaj Maqedonisë së Veriut. Rashani luajti në atë ndeshje në Shkup dhe e di mirë avantazhin që do të japë këtë herë publiku vendas. “Unë gjithmonë u them miqve të mi, nuk ke nevojë për nxehje para se të luash për Kosovën – të rrëqethet trupi vetëm duke dëgjuar tifozët”.
Këtë herë, megjithatë, Rashani do të zgjohet para orës 5 të mëngjesit për ta parë ndeshjen si tifoz, nga shtëpia e tij në Australi. “Njerëz nga e gjithë bota që kanë ndonjë lidhje me Kosovën do ta ndjekin. Është një ndeshje shumë e madhe për ne dhe, shpresojmë, mund t’ia dalim”.
