KOSOVA DREJT GAZËS: “Kthejmë borxhin partnerëve dhe bëhemi kontribuues për paqen globale”

Kosova do të marrë pjesë në misionin ndërkombëtar stabilizues në Gazë, një hap që sipas Ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, shënon shndërrimin e vendit nga një konsumues i sigurisë në një kontribuues aktiv për paqen globale, duke kthyer borxhin ndaj partnerëve ndërkombëtarë.

Kjo pjesëmarrje vjen pas një kërkese zyrtare të SHBA-së në dhjetor 2025, drejtuar 70 vendeve, mes tyre edhe Kosovës, për të kontribuar në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese (FNS), e cila synon të mbështesë ushtarakisht procesin e paqes në Gazë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shprehu në parim gatishmërinë më 11 dhjetor, ndërsa qeveria e tij e miratoi njëzëri këtë vendim më 30 mars 2026. Më pas, më 17 prill, vendimi u votua po ashtu njëzëri edhe në Parlament.

Parlamenti miratoi fillimisht një kontingjent prej 22 ushtarësh. Sipas ministrit Maqedonci, bëhet fjalë për personel nga fusha të ndryshme ushtarake, përfshirë çminimin dhe eliminimin e mjeteve të pashpërthyera, planifikimin e operacioneve speciale, si dhe ekipe mjekësore.

**Pjesëmarrja e Kosovës në operacione ndërkombëtare**

Kosova ka treguar edhe në të kaluarën gatishmëri të madhe ndaj interesave të politikës së jashtme amerikane, si shenjë mirënjohjeje historike për mbështetjen e Uashingtonit, për shkak të varësisë strategjike nga Perëndimi, por edhe për arsye pragmatike, si shteti më i ri dhe një nga më të vegjlit në Ballkan.

Ministri Maqedonci kujton se në vitin 2021 Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka marrë pjesë në një operacion në Lindjen e Mesme, së bashku me Gardën Kombëtare të Ajovës, në kuadër të operacionit “Inherent Resolve”, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara. Po ashtu, një ekip instruktorësh të FSK-së aktualisht vepron në Mbretërinë e Bashkuar si pjesë e operacionit “Interflex”, për trajnimin taktik të rekrutëve ukrainas. Në Kosovë po trajnohen gjithashtu oficerë, ushtarakë dhe profesionistë ukrainas në fushën e çminimit.

Kosova ka marrë pjesë edhe në operacione të tjera, si në Ishujt Falkland dhe në Belize, në bashkëpunim me Mbretërinë e Bashkuar. Përveç kësaj, FSK-ja ka zhvilluar më herët edhe operacione humanitare në Turqi dhe Shqipëri.

**Shpresa për forcimin e pozitës ndërkombëtare**

Kosova shpreson që pjesëmarrja në misionin në Gazë do ta forcojë pozitën e saj ndërkombëtare dhe do t’i sjellë prestigj dhe mbështetje nga partnerët ndërkombëtarë.

Maqedonci theksoi rëndësinë e këtij angazhimi, duke vënë në pah se “për herë të parë, Kosova po merr pjesë në një mision të autorizuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, edhe pse ende nuk jemi anëtare e Kombeve të Bashkuara”. Ai shtoi se “është një operacion me rrezik, por ajo që është e rëndësishme për Kosovën është se kjo pjesëmarrje po e shndërron vendin tonë në kontribuues të sigurisë globale. Pra, nga një vend që për vite me radhë ka qenë konsumues i sigurisë përmes mbështetjes nga trupat e KFOR-it, po shndërrohemi në një vend që kontribuon për sigurinë globale.”

**Nuk ka mision paqeruajtës pa rreziqe**

Duke qenë i vetëdijshëm se asnjë mision paqeruajtës nuk është pa rreziqe dhe kërcënime, ministri Maqedonci pranoi se “ne jemi të vetëdijshëm se pjesëtarët tanë që do të operojnë atje mund të përballen me kërcënime dhe rreziqe, duke përfshirë edhe rrezikun për jetën. Megjithatë, ky është çmimi i kontributit për paqe dhe siguri”, tha ai.

Sa i përket rolit të FSK-së në Gazë, Maqedonci thekson se misioni do të ketë karakter kryesisht humanitar. “Ky mision do të jetë para së gjithash humanitar, do të kontribuojë për vendosjen e paqes dhe do të ndikojë në rimëkëmbjen e Lindjes së Mesme, gjegjësisht të Gazës.”

Ai bëri të ditur se Kosova tashmë ka dërguar në rajon një ekip parapërgatitor, i cili po koordinon aspektet logjistike me partnerët ndërkombëtarë. “Po koordinohen çështje si akomodimi, koha e zbarkimit dhe mënyra se si do të operojnë njësitë tona në terren”, tha Maqedonci.

Detyrat kryesore të kontingjentit kosovar do të lidhen me mbështetjen humanitare, çminimin, komunikimin civilo-ushtarak me popullatën lokale dhe detyrat planifikuese në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese. Maqedonci shton se Kosova dhe Shqipëria tashmë e kanë konfirmuar pjesëmarrjen dhe po bëjnë përgatitjet në bashkëpunim me ushtrinë amerikane, e cila udhëheq FNS-në. Megjithatë, përbërja e plotë e vendeve kontribuuese ende nuk është finalizuar.

/DW