Haxhiu: Në Skenderaj nuk u pa thjesht një aksion policor, por u rikthyen kujtime të rënda për shumë qytetarë
Bekim Haxhiu, kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për deputet, ka reaguar në lidhje me ngjarjet e mbrëmshme në Skenderaj.
Përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Haxhiu shkroi se ajo që ndodhi mbrëmë shkaktoi shqetësim të madh te qytetarët dhe ngriti shumë pikëpyetje rreth kohës, mënyrës dhe motiveve të veprimit të këtij pushteti në largim, sidomos në prag të fushatës zgjedhore.
Sipas tij, dërgimi i forcave speciale atje nuk u pa thjesht si një aksion policor.
**Ja postimi i plotë i Haxhiut:**
“Mbrëmë në Skenderaj nuk u pa thjesht një aksion policor.
Ajo që ndodhi mbrëmë shkaktoi shqetësim të madh te qytetarët dhe ngriti shumë pikëpyetje rreth kohës, mënyrës dhe motiveve të veprimit të këtij pushteti në largim, sidomos në prag të fushatës zgjedhore.
Pamjet e forcave speciale në zemër të Drenicës rikthyen kujtime të rënda për shumë qytetarë, kujtime që lidhen me periudhat më të dhimbshme të historisë sonë. Për këtë arsye, çdo veprim institucional duhet të jetë i matur, transparent dhe në shërbim të sigurisë së qytetarëve, dhe jo të perceptohet si presion politik apo demonstrim force.
Ofendimet, provokimet dhe tensionet e krijuara janë të dirigjuara nga mendësia përçarëse dhe diktatoriale e Albin Kurtit dhe Dejona Mihajlit.
Policia e Kosovës duhet të mbetet institucion profesional, i paanshëm dhe larg interesave partiake të pushtetit.
Drenica ka qenë dhe mbetet simbol i qëndresës dhe dinjitetit kombëtar. Historia ka treguar se çdo përpjekje për ta nënshtruar apo përçarë atë ka dështuar.”
