**Kurti prezanton plane ambicioze për infrastrukturën dhe sigurinë në takimin me biznesmenë shqiptarë**
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka prezantuar plane ambicioze për zhvillimin e infrastrukturës dhe forcimin e sigurisë së Kosovës, gjatë një takimi me biznesmenë shqiptarë nga mbarë bota. Takimi u organizua nga Rrjeti Global i Bizneseve Shqiptare.
Gjatë fjalimit të tij, Kurti trajtoi një sërë çështjesh, duke detajuar vizionin e tij nëse arrin të formojë qeverinë e ardhshme. Ai theksoi se fokusi kryesor do të jetë ndërtimi i hekurudhave.
“Në mandatin e ardhshëm, Qeveria jonë do të jetë e përqendruar fillimisht te hekurudhat. Nuk ka zhvillim të hovshëm ekonomik pa hekurudha. Kemi në plan katër hekurudha kryesore: E para është hekurudha Prishtinë-Durrës, e cila përfshin segmentin Gjakovë-Shkodër dhe lidh Portin e Thatë të Prishtinës me portin e ri të Durrësit, ku kalojnë rreth 50 për qind e importeve të Kosovës. Hekurudha tjetër është ajo që njihet si Korridori X, nga Hani i Elezit, përmes Fushë Kosovës dhe Mitrovicës, deri në Leshak. Tjetra është hekurudha që do të ndërtojmë, e cila do të lidhë Prizrenin me Ferizajn, Gjilanin dhe Bujanovcin, kjo është një hekurudhë tejet e rëndësishme. Dhe e katërta, segmenti modern hekurudhor, i cili pritet të jetë veçanërisht i mirëpritur nga bashkatdhetarët tanë, do të lidhë Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” me kryeqytetin, Prishtinën. Pra, mandati i ardhshëm do të jetë mandat i hekurudhave,” ka deklaruar Kurti, sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit.
Më tej, Kurti shtjelloi edhe planet e tij në fushën e sigurisë, duke premtuar një investim prej 1 miliardë eurosh në ushtri.
“Do të kemi një investim prej 1 miliardë eurosh në ushtri, mbrojtje dhe siguri, ku industria ushtarake do të jetë kryefjala, veçanërisht prodhimi i municionit në fabrikën Jahoc të Gjakovës, si dhe prodhimi i dronëve. Në fund të këtij viti, do të prodhohen fishekët e parë ‘Made in Kosova’ për Forcën e Sigurisë së Kosovës,” ka shtuar Kurti.
