Vjosa Osmani bën thirrje për unitet rreth numrit 113 të LDK-së: “Bashkohuni kundër politikës përçarëse”

Ish-presidentja Vjosa Osmani, e cila do të jetë bartëse e listës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në zgjedhjet e ardhshme, ka reaguar pas hedhjes së shortit, ku LDK-ja fitoi numrin 113.

Osmani bëri thirrje për bashkim, duke theksuar se asnjë popull nuk dobësohet më shumë nga armiku sesa kur përçahet nga brenda. Ajo citoi: “Bashkohuni kundër politikës që përçan, që nxit urrejtje e dhunë.”

Në postimin e saj të plotë, Osmani theksoi rëndësinë e unitetit për progresin e Kosovës. Ajo shtoi se Kosova fiton vetëm kur ecet bashkë, me respekt dhe besim reciprok.

Për këtë arsye, ajo ftoi qytetarët të bashkohen rreth politikës që afron njerëzit, që ndërton dhe lë trashëgimi për brezat e ardhshëm. Osmani u kërkoi gjithashtu të bashkoheshin kundër atyre politikave që nxisin përçarje, urrejtje dhe dhunë, duke përfunduar me mesazhin: “Sepse asnjë flamur nuk valon më fort sesa një popull i bashkuar!”