**Kurti: Ukshin Hoti, mendje e ndritur që na ndriçon rrugën përpara**

Më 16 maj, me rastin e 27-vjetorit të zhdukjes së profesorit Ukshin Hoti, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga Andin Hoti, ka vizituar Shtëpinë Muze në Krushë të Madhe, vendlindjen e figurës së shquar.

Duke kujtuar profesor Hotin dhe veprën e tij, Kurti theksoi se ai ishte një mendje jashtëzakonisht e ndritur, jo vetëm për shqiptarët, por me vlera universale, për shkak të teorive të tij politike.

Kryeministri rikujtoi ditën e zhdukjes së Hotit. “Me shumë pikëllim dhe dhimbje kujtojmë ditën kur, saktësisht 27 vjet më parë, profesor Ukshin Hoti u lirua nga burgu i Dubravës, ku mbahej si rob lufte, fillimisht si i burgosur politik. Që prej asaj dite, ai u zhduk dhunshëm dhe ne ende nuk dimë asgjë për fatin e tij,” theksoi Kurti.

Ai bëri të ditur se veprat e Ukshin Hotit do të hyjnë në një fazë të re rileximi, pas vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për botimin e tyre. “Rileximi i veprës së Ukshin Hotit padyshim që do të ketë një fazë të re me botimin e veprave të tij, për çfarë kemi marrë vendimin në Qeverinë e Republikës së Kosovës,” shtoi Kurti, duke theksuar se materiali po mblidhet nga vende të ndryshme, përfshirë Beogradin, Zagrebin dhe Harvardin, ku Hoti ka studiuar dhe punuar.

“Kur shohim fotografitë e tij këtu në Shtëpinë Muze, na pushtojnë ndjenja të përziera. Një pikëllim i thellë pse nuk e kemi të gjallë, por edhe krenari që e patëm. Vepra dhe figura e tij padyshim që na ndriçon rrugën përpara, si një prej rilindësve të kombit tonë,” përfundoi kryeministri.

Deklarata u mbyll me një homazh: “Lavdi profesor Ukshin Hotit dhe të gjithë dëshmorëve e martirëve të kombit shqiptar!”