**Incident i rëndë në Itali: Makinë përplas këmbësorë në Modenë, shtatë të plagosur**
Një incident i rëndë ka tronditur Modenën e Italisë, ku një makinë me shpejtësi të lartë ka përplasur një turmë këmbësorësh në një zonë me trafik të kufizuar (ZTL).
Salim el Koudri, 31 vjeç, shtetas italian me origjinë marokene, i lindur në Bergamo dhe banor i provincës së Modenës, u arrestua. Ai nuk kishte precedentë penalë, ndërsa sipas mediave italiane, deklaroi se kishte vepruar “nga pakënaqësia, sepse ndihej i ngacmuar”.
Shtatë persona u plagosën, dy prej tyre në gjendje të rëndë. Një grua rrezikon amputimin e të dyja këmbëve. Makina u përplas gjithashtu me një vitrinë dyqani dhe një biçikletë, duke u bllokuar më pas në trotuar.
Autori u largua në këmbë. Ndërsa po largohej, nxori një thikë dhe sulmoi një kalimtar, por u ndalua menjëherë nga qytetarët.
Në vendngjarje mbërritën karabinierët, policia lokale dhe helikopterë të ndihmës së shpejtë nga Bolonja dhe Pavullo. Kryebashkiaku Mezzetti falënderoi qytetarët që ndaluan shoferin, duke parandaluar kështu një tragjedi edhe më të madhe.
Veprimi terrorist është përjashtuar dhe ngjarja po hetohet si një akt kriminal individual. Kryeministrja Giorgia Meloni dhe Ministri i Brendshëm Matteo Piantedosi po e ndjekin situatën nga afër.
Dëshmitarët okularë treguan se makina po ecte me të paktën 160 km/orë dhe se nga përplasja, njerëzit u hodhën dhunshëm në ajër.
