E ardhmja e Neymarit në futboll mbetet e paqartë, por babai i tij ka bërë një thirrje emocionuese kundër pensionimit.
Sulmuesi brazilian ka shmangur t’u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve mbi një tërheqje të mundshme nga futbolli aktiv, duke lënë të hapur çështjen e së ardhmes së tij. Megjithatë, babai i tij është dashur të ndërhyjë për të sqaruar situatën.
Neymar nuk ka pranuar të flasë për planet e tij pas përfundimit të kontratës aktuale, duke mos dhënë asnjë shenjë nëse do ta vazhdojë karrierën apo do të vendosë t’i varë këpucët në gozhdë. Kjo paqartësi ka nxitur spekulimet e javëve të fundit rreth së ardhmes së tij, raporton “Gazeta Express”.
Megjithatë, babai dhe njëherësh menaxheri i tij, Neymar Senior, i ka hedhur poshtë me forcë zërat për pensionim, duke i bërë një lutje emocionuese djalit të tij.
“Si baba, e kam vetëm një kërkesë: biri im, vazhdo të luash futboll. Gjeje sërish gëzimin që ta jep topi, buzëqesh në fushë dhe shijoje lojën. Sot je i shëndetshëm dhe nuk duhet të mendosh për fundin e karrierës”, ishte mesazhi i tij.
Babai i lojtarit theksoi gjithashtu se vendimet e rëndësishme nuk duhet të merren në momente emocionale dhe se djali i tij ka ende shumë për t’i ofruar futbollit botëror.
Duhet kujtuar se Neymar ka konfirmuar largimin nga Kombëtarja e Brazilit pas eliminimit nga Kupa e Botës 2022. Përsa i përket karrierës në nivel klubesh, ai ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar. /Gazeta Express
