**Aksident fatal në Smrekovnicë të Vushtrrisë, humbin jetën dy të rinj**

Rreth orës 02:53 të mëngjesit, një aksident tragjik ka ndodhur në rrugën kombëtare Mitrovicë–Prishtinë, konkretisht në segmentin rrugor në fshatin Smrekovnicë.

Policia ka bërë të ditur se si pasojë e lëndimeve të rënda të marra, dy persona kanë ndërruar jetë.

Sipas informacioneve paraprake nga vendi i ngjarjes, në aksident ishte përfshirë një veturë, në të cilën udhëtonin shoferi dhe një pasagjer. Të dy u transportuan menjëherë për trajtim mjekësor, por, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, vdekja e tyre u konfirmua.

Me urdhër të prokurorit përgjegjës, trupat e pajetë të viktimave, dy meshkuj të moshave 22 dhe 24 vjeç, janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për kryerjen e obduksionit.

Njësia Rajonale e Trafikut, në bashkëpunim dhe nën drejtimin e prokurorit, po ndërmerr veprimet e nevojshme hetimore për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe shkaqet e këtij aksidenti fatal.