Anglia shkruan histori, thyen rekordin në ndeshjet hapëse të Botërorit pas fitores ndaj Kroacisë
Kombëtarja e Anglisë e ka nisur shkëlqyeshëm fushatën e saj në Kupën e Botës 2026, duke triumfuar me rezultatin 4-2 përballë Kroacisë në ndeshjen e parë të fazës së grupeve. Kjo fitore jo vetëm që i siguroi “Tre Luanëve” tre pikë të rëndësishme, por shënoi edhe një moment historik, pasi Anglia theu rekordin e saj për fitore radhazi në ndeshjet hapëse të Botërorit.
Ekipi i drejtuar nga trajneri Thomas Tuchel demonstroi një forcë sulmuese dhe efikasitet të lartë ndaj kroatëve, duke vulosur një start ideal në turne.
Kjo është hera e tretë radhazi që Anglia arrin të fitojë ndeshjen e saj inauguruese në Kupën e Botës, një arritje e paprecedentë në historinë e saj futbollistike. Seria pozitive nisi në Botërorin e vitit 2018, me fitoren 2-1 kundër Tunizisë, vijoi në Katar 2022 me triumfin bindës 6-2 ndaj Iranit, dhe tashmë është zgjeruar me suksesin 4-2 përballë Kroacisë në edicionin e vitit 2026.
Anglezët e kishin nisur për herë të fundit një Kupë Bote me humbje në vitin 2014, kur u mposhtën 2-1 nga Italia në ndeshjen e parë të grupit.
Ky rekord i ri dëshmon vazhdimësinë dhe stabilitetin e ekipit anglez në turnetë madhorë, duke e pozicionuar Anglinë si një nga pretendentet serioze për të shkuar larg në këtë edicion të Kupës së Botës.
Në sfidën e radhës, më 23 qershor, Anglia do të përballet me Ganën. Një fitore në këtë takim do t’i afronte edhe më shumë anglezët me kualifikimin në fazën me eliminim direkt.
