FC Ferizaj emëron Leart Alijan Drejtor Sportiv
Klubi i futbollit Ferizaj ka njoftuar sot emërimin e Leart Alijas në postin e Drejtorit Sportiv. Alija zëvendëson Genc Hysenajn, i cili largohet nga ky post për shkak të angazhimeve personale.
Leart Alija ka një histori të gjatë me FC Ferizaj. Ai ka qenë pjesë e brezave të futbollistëve të klubit dhe ka ruajtur lidhje të forta me të ndër vite. Së fundmi, Alija ka përfunduar me sukses kursin e trajnimit për Drejtor Sportiv pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, duke u pajisur me licencën përkatëse.
Përmes një deklarate, klubi shprehu besimin se njohuritë, përkushtimi dhe lidhja e thellë e Alijas me FC Ferizajn do të përbëjnë një vlerë të shtuar dhe do të ndikojnë pozitivisht në ecjen dhe zhvillimin e skuadrës.
Në të njëjtën kohë, FC Ferizaj ka falënderuar Drejtorin Sportiv të deritanishëm, Genc Hysenajn, për kontributin dhe përkushtimin e tij të madh gjatë mandatit. Megjithëse nuk do të vazhdojë në këtë pozitë, Hysenaj do të mbetet pranë klubit dhe Presidentit, duke ofruar mbështetjen e tij profesionale edhe në të ardhmen.
