**Baraliu: Marrëveshja për Presidentin duhet të vazhdojë, liderët dhe deputetët të reflektojnë**

Krerët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku, ranë dakord pak ditë më parë që Bekim Sejdiu të jetë kandidati i tyre për president të vendit.

Megjithatë, gjatë ditës së djeshme, gjashtë deputetë të LDK-së, në mbledhjen e grupit parlamentar, vendosën të mos e mbështesin këtë marrëveshje.

Në një deklaratë për Indeksonline, Mazllum Baraliu theksoi se marrëveshja mes VV-së dhe LDK-së duhet të avancojë, pavarësisht kundërshtimeve të shprehura.

“Kjo është për keqardhje,” tha Baraliu. “Sa bëhet një hap përpara, vjen dikush që, me vetëdije institucionale, bën një hap prapa. Kjo ka qenë alternativa e vetme pas zgjedhjeve.”

Ai shtoi se të dyja palët kishin miratimin e kryesive të tyre për të zhvilluar negociatat, ndërsa pas arritjes së marrëveshjes kanë dalë zëra kundër saj.

“Të dyja palët kanë pasur miratimin e kryesive për negociata. Ndërkohë, pas arritjes së marrëveshjes, dalin zëra që, pa emancipim demokratik, dëmtojnë edhe partinë. Përkundër kësaj, kjo marrëveshje duhet të shkojë përpara. Këta deputetë duhet të reflektojnë dhe të jenë të pranishëm në sallë për seancën e zgjedhjes së Presidentit, duke siguruar kuorumin e nevojshëm,” theksoi Baraliu për Indeksonline.

Më tej, Baraliu u shpreh se edhe liderët opozitarë do të duhej të reflektonin, në mënyrë që Kosova të ketë një president.

“Edhe liderët opozitarë duhet të reflektojnë dhe të kontribuojnë në sigurimin e kuorumit, që të kemi një president. Një kthim në zgjedhje të parakohshme do të dëmtonte rëndë vendin, duke sjellë pasoja të pariparueshme,” paralajmëroi Baraliu.

Vlen të theksohet se sot u mbajt një tjetër takim mes Kurtit dhe Abdixhikut, por pa arritur ndonjë sukses.