**Hamza e cilëson manovër ofertën e Kurtit: PDK nuk do të propozojë kandidatë**
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka deklaruar se partia e tij nuk do të propozojë emra për president, duke e cilësuar si manovër politike ofertën e kryeministrit Albin Kurti. Oferta në fjalë parashikonte që PDK-ja dhe LDK-ja të paraqisnin tre emra për kandidatë për president.
Hamza theksoi se partitë opozitare janë entitete të ndryshme. “Ne jemi parti të ndryshme. PDK-ja dhe LDK-ja janë subjekte në vete. AAK-ja është në vete dhe nuk është ftuar fare,” u shpreh ai.
Ai shtoi se me LDK-në janë bërë oferta të tjera, ndërsa me PDK-në është diskutuar për çështjen e presidentit. “Kjo nuk është çështje e rehatimit të individit, por një çështje serioze që mund të diskutohej në tavolinë kur ishim bashkë, por nuk ka pasur seriozitet nga Vetëvendosja dhe nuk ka as tani,” përfundoi Hamza.
Këto deklarata, Bedri Hamza i bëri në hollin e Kuvendit, para seancës së jashtëzakonshme.
