Bekim Fazliu ka reaguar ashpër në lidhje me protestën e paralajmëruar të studentëve, duke theksuar se studentët kanë të drejtë të protestojnë. Megjithatë, përmes një statusi të detajuar në rrjetet sociale, ai ka shprehur rezerva të forta dhe akuza ndaj figurave të caktuara politike, të cilat, sipas tij, po tentojnë të shfrytëzojnë këtë kauzë.

Fazliu thekson se personat që erdhën në pushtet mbi “gjakun e bijve të popullit” dhe e shpërdoruan atë për biznese milionëshe për familjarët dhe rrethin e tyre, nuk kanë të drejtë të flasin në emër të studentëve. Ai shton se të njëjtët, të cilët i lanë ushtarët e UÇK-së pa ligj, mbushën burgjet me shqiptarë të pafajshëm dhe dërguan mijëra të rinj drejt kurbetit, nuk mund të jenë zëri i studentëve.

Më tej, Fazliu akuzon ashpër ata që, për më shumë se dy dekada në pushtet, me pozita të larta si kryeparlamentarë, kryeministra apo ministra të Drejtësisë, nuk ua mundësuan studentëve të jepnin provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe. Sipas tij, këta individë nuk duhet “ta përlyejnë” protestën studentore.

Ai kritikon gjithashtu ata që ishin “pionierë të Open Ballkanit”, fotografoheshin me liderë si Vuçiq, Daçiq dhe Lavrov, apo që ishin pjesë e “Klubit të Lumtur” me Gruevskin dhe ndryshuan ligje me shpejtësi rekordi për të favorizuar figura si Mijallkov, duke i cilësuar si persona që nuk mund të paraqiten si rojtarë të kauzës kombëtare.

Sipas Fazliut, nuk guxojnë të nxjerrin zë ata që, sapo nuhatën humbjen e pushtetit, prodhuan “mercenerë medio-analitikë” me regji propagandistike, të cilët mbrojnë vetëm interesat e tyre për pushtet, para dhe kontroll, dhe jo popullin, gjuhën apo flamurin.

Ai vazhdon duke theksuar se ata që i kthyen zyrat institucionale në “fusha futbolli e mejhane ahengjesh partiake” dhe promovuan kazinotë e bastoret pranë fakulteteve, duke i detyruar studentët të zgjedhin mes “puthjes së këmbëve të imoralëve politikë” ose emigrimit, nuk mund të jenë pranë studentëve apo të japin moral.

Bekim Fazliu i quajti këta individë “hipokritë”, duke theksuar se populli i njeh mirë dhe se ata janë bërë “DELLÇEVISTË” për pushtet në Maqedoninë e Veriut, ndërsa Kosovën e përdorin si ndalesë të rastësishme për duartrokitje patriotike kur e shohin veten në vështirësi. Ai paralajmëroi studentët që t’i mbajnë larg këta “hipokritë profesionistë”, të cilët çdo protestë e shohin si mundësi për rikthim në pushtet, ndërsa studentët i shohin vetëm si instrumente. Fazliu përfundoi mesazhin e tij me thirrjen: “Të dashur studentë, juve ju mjafton populli.”